Shqipëria pritet të shtyjë përpara edhe agjendën e Kosovës në OKB

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur sot në takim një delegacion nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gazmend Turdiu, tha se konsolidimi i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës ka ndikim në sigurinë dhe stabilitetit të rajonit.

Ai nënvizoi se do të shtyjnë përpara agjendat e përbashkëta të dy shteteve në Këshillin e Sigurimit.

“Ne jemi të interesuar për të kontribuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, natyrisht çështja e konsolidimit të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës është një gjë madhore që ka ndikim pozitiv në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Ne shkëmbyem me shumë kënaqësi, në mënyrë të hapur, vëllazërore dhe miqësore, mendimet tona dhe biseduam si mund të bashkërendojmë për të shtyrë përpara në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Sigurimit agjendat tona të përbashkëta”, tha ai.

Ndryshe, javën e kaluar në Kosovë qëndroi edhe Komisioni për Punë të Jashtme i Shqipërisë.