SHKOLLA FILLORE E MESME E ULËT, “ZGJIMI”, NË GREMNIK, SHËNOI DITËN E SHKOLLËS

Shkolla fillore e mesme e ulët, “Zgjimi”, në fshatin Gremnik të komunës së Klinës, sot, me disa aktivitete kulturoro-edukative, ka shënuar ditën e shkollës.

Të pranishëm në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle ishte drejtori i Arsimit në Komunën e Klinës, Arben Limani, bashkë me bashkëpunëtorë, mësues, nxënës të kësaj shkolle dhe qytetarë.

Me këtë rast, para të pranishmëve, drejtori i Arsimit, Arben Limani, uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e ditës së shkollës. Po ashtu, ai theksoi se është detyrë e institucioneve që të krijojnë kushte më të mira për arsim cilësor, sepse institucionet arsimore kanë dhënë kontribut për nxjerrjen e kuadrove cilësore.

“Jo vetëm shkolla juaj, por të gjitha shkollat e tjera, kanë dhënë kontribut për një arsim cilësor, për nxjerrjen e kuadrove të shumta të cilët janë përgatitur në këto institucione edukativo arsimore. Komuna e Klinës, përkatësisht drejtoria e Arsimit, është e angazhuar maksimalisht në përmirësimin e cilësisë, në mësimdhënie dhe mësimnxënie, dhe ka përkushtim që të përmirësohet infrastruktura shkollore. Shfrytëzoj rastin që të i`u uroj ditën e shkollës, që në emër të Drejtorisë së Arsimit dhe në emrin tim. Suksese mësimdhënësve dhe nxënësve!”, tha në fjalën e tij drejtori Limani.

Në fund të programit, për nder të kësaj dite nga nxënësit e shkollës u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik.

Komuna e Klinës këtë vit ka paraparë një buxhet për investim të brendshëm në këtë shkolle, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore.

SHARE