Sërish dështon të mbahet seanca ndaj Enver Sekiraqës

Ka dështuar të mbahet edhe sot seanca e caktuar ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza.

Dështimi i seancës ndodhi për shkak të mungesës së rrymës në gjykatë.

Sipas planifikimeve është paraparë që në këtë seancë të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve Zanfina, Adelina dhe Ema Ismajli përmes video-linkut.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht të vitit 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.

Në procesin e tij një varg personalitetesh VIP kishin dëshmuar për ngjarjet rreth Rizës dhe Sekiraqës.

Në një intervistë për “Drejtësia në Kosovë” pak para dorëzimit në EULEX, Sekiraqa kishte përmendur disa prej strukturave të UÇK-së.