Rusia braktiset edhe nga aleatët, Kina dhe India thirrje që të përfundojë lufta në Ukrainë

Kina dhe India kanë bërë thirrje për një fund të negociuar të luftës në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, duke mos dhënë mbështetje për aleaten tradicionale, Rusinë, shkruan AL Jazzera.

Pas një jave presioni në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov bëri kritika ndaj vendeve perëndimore për atë që ai e quajti një fushatë “groteske” kundër rusëve.

Por asnjë komb i madh nuk është mbledhur pas Rusisë, përfshirë Kinën, e cila vetëm disa ditë përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt, premtoi një lidhje “të pathyeshme” me presidentin Vladimir Putin.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që “të parandalojnë përhapjen e krizës” dhe të mos prekin vendet në zhvillim.

“Kina mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës në Ukrainë. Prioriteti i ngutshëm është lehtësimi i bisedimeve për paqe. Zgjidhja themelore është adresimi i shqetësimeve legjitime të sigurisë të të gjitha palëve dhe ndërtimi i një arkitekture sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme”, tha Wang.

Gjatë vizitës së tij në OKB, Wang u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba në bisedimet e tyre të para që nga fillimi i luftës.

Në fillim të këtij muaji, Putin pranoi “shqetësimet” kineze për Ukrainën gjatë një takimi me homologun e tij Xi Jinping.

India, ndryshe nga Kina, ka një marrëdhënie të ngrohtë me Shtetet e Bashkuara, por ka lidhje historike me Rusinë, furnizuesin e saj tradicional të mbrojtjes.

“Ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, ne shpesh na pyesin se në anën e kujt jemi. Përgjigja jonë, çdo herë, është e drejtë dhe e sinqertë, India është në anën e paqes dhe do të qëndrojë e vendosur atje. Ne jemi në anën që thërret për dialog dhe diplomaci si e vetmja rrugëdalje”, tha ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar.