Rreziku nga koronavirusi: Produktet kineze janë ndaluar të hyjnë në Kosovë

Kosova është mobilizuar pas përhapjes së koronavirusit në Kinë dhe një shumë vende tjera të botës.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë se Kosova nuk importon nga Kina ushqime pos produkteve ushqimore për bletë, e të cilat thotë se i kanë ndaluar posa është njoftuar për shfaqjen e këtij virusi vdekjeprurës.

Ai ka deklaruar se Kosova ka marrë masat për të bllokuar produktet e dyshimta nga Kina, por, sipas tij, nuk mund të shkohet me veprime tjera para shteteve të rajonit.

Thaçi ka thënë se edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka rekomanduar qytetarët që të mos udhëtojnë drejt Kinës, për të evituar ndonjë bartje të virusit.

Zëdhënësi i AUV’së ka thënë se nuk është mirë që të mendohet vetëm në kapacitetet spitalore që ka Kosova, por më mirë është të merren masa preventive që ky virus të mos depërtoj në Kosovë.

“Ne i kemi të vendosur inspektorët në kufi. Nëse merren masat ne mund të veprojmë brenda minutës për të bllokuar produkte të caktuara”, është shprehur ai.

Thaçi ka thënë se AUV’ja ka kapacitete që nëse zbulohet kafsha që përcjell virusin ata mund të vizitojnë fermat dhe të marrin mostra për të bërë analiza.

Thaçi ka deklaruar se Kina është treguar fer kur ka lajmëruar menjëherë paraqitjen e këtij virusi, pasi që, sipas tij, ka shtete që fshehin për një kohë të gjatë paraqitjen e ndonjë virusi për të evituar pasojat propagandistike ndaj atij shteti.