Rreth 43 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në 2021, kjo është komuna më e prekur

Emigrimi i qytetarëve për në shtetet perëndimore, vit pas viti po vazhdon të rritet. Vetëm gjatë vitit 2021 janë larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë.

Derisa rritje të madhe të migrimit ka shënuar komuna e Gjilanit me 4 mijë e 320 qytetarë, të cilët kanë ‘braktisur’ vendin. Tetë komunat më të prekura nga migrimi janë: Gjilani, Prizreni, Prishtina, Vushtrria, Suhareka, Malisheva, Gjakova dhe Podujeva.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vlerësimin e popullsisë për vitin 2021, thuhet se pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal.

“Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona dhe kanë emigruar 42 mijë e 728 persona”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).

Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1 milion e 773 mijë e 971 banorë rezidentë.