Rreth 130 zyrtarë policorë lanë vendin e punës gjatë vitit 2022

Rreth 130 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre e punës që nga fillimi i vitit 2022.

Arsyet e vendimit për dorëheqje janë të ndryshme.

E dikush që udhëhoqi gjatë me këtë institucion, po thotë se ndër arsyet kryesore janë kushtet jo të mira të punës dhe ndërhyrjet politike brenda policisë.

Ish-drejtori i Policisë së Republikës së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Front Online se numri i zyrtarëve policorë që lanë vendin e punës është shumë shqetësues.

“Unë mendoj se është shumë shqetësuese, numri prej 130 është numër shumë i madh. Arsye ka shumë, çështja e pagës, e kushteve të punës, mirëpo unë mendoj që kanë ndikuar edhe ndërhyrjet politike në Policinë e Kosovës, mirëpo dominon çështja ekonomike”, thotë Qalaj.

Sidikata e Policisë i kërkon Qeverisë t’ua ndaj nga 5 milionë euro në vit

Për përmirësimin e kushteve, Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit që të ndahen për çdo vit nga 5 milionë euro.

Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, tha se kërkesës së tyre ende nuk i është përgjigjur Qeveria.

Jo përgjigje prej Qeverisë nuk kemi marr, e kemi diskutuar këtë çështje edhe pasi e kem dërguar kërkesën, por nuk e kemi marr ndonjë konfirmim a do të na e realizojnë a jo”, thotë ai.

Zeqiri thotë se janë në pritje të përgjigjes, por që nuk do të rrinë “duarkryq”.

Ne kemi edhe disa kërkesa të tjera përpos kësaj kërkese, jemi në pritje të përgjigjeve pozitive apo negative, dhe pasi të marrim përgjigje sigurisht që do të planifikojmë diçka, por aktualisht nuk kemi ndonjë plan pa e marr një përgjigje konkrete”, deklaroi ai.

Rashit Qalaj: Policia po punon në kushte të rënda, është momenti të reflektoj Qeveria

Paga që kanë policët e Kosovës, sipas Zeqirit nuk po i përmbush nevojat në familje.

E me këtë, po pajtohet edhe Rashit Qalaj, i cili thotë që Qeveria duhet ta marrë seriozisht çështjen e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës që nga fillimi është pa sigurime shëndetësore, pa siguri jetësore, pa shujtë, me kushte të këqija, me kushte të rënda, dhe është momenti që Qeveria të trajtojë policinë siç duhet. Meqenëse me të vërtetë po punojnë me kushte të vështira, me kushte të rënda, me operacione të komplikuara, dhe nuk është lehtë të jesh në uniformë, dhe faktikisht mungojnë gjërat bazike të mirëqenies”, deklaroi Qalaj.

Front Online ka dërguar pyetje drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Zyrtarët policor ende nuk kanë sigurim shëndetësor ani pse ka vite që kjo temë trajtohet nga institucionet kompetente.