Rreth 10% e bizneseve kanë falimentuar në të gjitha komunat e Kosovës

Masat preventive izoluese që janë marrë nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka çuar rreth 10% të bizneseve në të gjitha komunat drejt falimentimit.

Mbyllja e bizneseve si pasojë e pandemisë në Kosovë ka dëmtuar shumë sektore private, por ajo më e dëmtuara është gastronomia.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nga pandemia do të mbesin të zbrazëta shumë vende të punës.

“Pothuajse në të gjitha komunat nëse marrin një përqindje, diku rreth 10% të këtyre bizneseve veç se kanë falimentuar”, u shpreh ai.

Gjithashtu Azemi tha se shteti duhet t’u qëndrojë afër bizneseve e punëtorëve dhe t’iu ndihmojë që të mos dëmtohen rëndë.

“… krejt kjo duke u nisur nga ajo se shteti nuk qëndroj afër bizneseve dhe nuk qëndroj afër punëtorëve dhe kjo ka qenë një dëmtim tepër i rëndë për punëtorët dhe për bizneset”, tha ai.

Ai ka pohuar se shumica e lokaleve do të mbyllen pasi që me afatizimin orarit nuk do të munden t’i paguajnë punëtorët.

“Unë qysh sot kam takime me disa biznesmen të komunave të tjera ku për shkak të afatizimit të orarit të punës e sidomos në gastronomi deri në ora 21:00 dhe në një far forme ata thonë se do t’i mbyllin të gjitha restorantet dhe të gjitha kafiteritë e tyre sepse nuk mund të ja dalin ti kryejmë shpenzimet e punëtorëve”, deklaroi Azemi për EO.

Ai ka pasur edhe një kërkesë të menjëhershme që puna e gastronomisë të vazhdojë deri në ora 23:00.

“Dhe për atë arsye kam marr sot këtë udhëtim në shumë komuna që ti dëgjojë hallet e tyre dhe ti qes para qeverisë së Kosovës, kërkesë imediate që puna e gastronomisë të vazhdojë deri në orën 23:00”./