Rinumrimi përfundon sot

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet të përfundojë sot procesi i rinumërimit të 1,407 vendvotimeve, të cilat hynë në rinumërim pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, për Indeksonline ka thënë se ky proces do të përfundojë gjatë ditës së sotme.

“Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotime sipas vendimit të PZAP-it do të përfundonë sot (e diele). Janë vetëm edhe 37 vendvotime që do të rinumërohen sot.”, u shprehë ai.

Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit. Mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, prej orës 08:00 deri në mesnatë, ishte rreth 130.

Ndërkaq dje është njoftuar se më 12 nëntor, në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora. Për këto, Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP, me pretendimin se edhe ato duhet të pranohen siç u pranuan edhe votat e mëparshme që erdhën me vonesë nga jashtë. Me vendim të Gjykatës Supreme, ato u pranuan dhe u numëruan.

PZAP-ja pritet që deri të hënën të vendos rreth këtyre votave para se të certifikohet rezultati final i zgjedhjeve që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.