Qytetarë, zyrtarë qeveritarë e deputetë në Shqipëri për fundjavë

Rreth 30 mijë qytetarë ia kanë mësyrë Shqipërisë të premten dhe të shtunën. Bashkë me ta edhe qeveritarë e deputetë. Ndërkohë, ata që nuk e kishin këtë mundësi, kanë shfrytëzuar parqet e sheshet për të kaluar ditët e ngrohta me diell. Gjithë ky fluks i qytetarëve ka vënë në pikëpyetje efektshmërinë e masave të mara nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka arsyetuar shkuarjen e madhe të qytetarëve në Shqipëri. Sipas tij, masat nuk e kanë shkaktuar fluksin e madh të qytetarëve që e kanë kaluar fundjavën në Shqipëri.

Relaksimi i masave antiCOVID në Shqipëri e ashpërsimi i tyre në Kosovë ka bërë që mbi 30 mijë qytetarë nga Kosova të kalojnë vikendin në Shqipëri. Vetëm në 24 orët e fundit, 15 mijë qytetarë të Kosovës kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri.

Përveç qytetarëve edhe shumë zyrtarë qeveritarë e deputetë të Vetëvendosjes, kanë kaluar vikendin në Shqipëri, në përkrahje të Boiken Abazit, Iliaz Shehut dhe Kreshnik Merxhanit, kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, por që janë propozuar nga dega e Vetëvendosjes në Tiranë.

Kjo ka acaruar qytetarët, të cilët kanë kritikuar këto veprime të zyrtarëve qeveritarë.

Në Kosovë, me gjithë mbylljen e kafiterive e restoranteve, qytetarë të shumtë janë parë në parqe dhe në sheshe të qytetit.

Me masat e Qeverisë për të hyrë në Kosovë nga Shqipëria nuk nevojitet test PCR negativ apo izolim, pasi që as Shqipëria nuk kërkon një gjë të tillë.

Ndërkohë një pikë tjetër e vendimit thotë se qytetarët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin një test negativ të bërë më së largu në 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 7 ditë. Përjashtim nga kjo masë bëhet për qytetarët që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.