Prokurorët, gjyqtarët e policët, pritet t’i nënshtrohen procesit të vettingut

Brenda 24 muajve, prokurorët, gjyqtarët e policët e Kosovës, pritet t’i nënshtrohen procesit të vettingut.

Dy organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë punën e organeve të drejtësisë, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike Politike, janë të gatshëm të ndihmojnë në këtë proces.

Drejtori ekzekutiv Ehat Miftaraj, thotë se IKD-ja do të ofrojë rekomandimet, por vendimet i takojnë Ministrisë së Drejtësisë, raporton KTV.

Sipas tij, fillimisht, Qeveria e re do të duhet të miratojë Ligjin për vettingun.

Sipas shoqërisë civile, vettingu duhet të jetë i vazhdueshëm dhe për këtë e shohin të nevojshme që në realizimin e tij të përfshihet edhe opozita.

E gatshme për të mbështetur Qeverinë e re në këtë proces është shprehur Ambasada Britanike, e cila, në një përgjigje për televizionin, ka thënë se transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti i institucioneve gjyqësore, janë me rëndësi jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj. Derisa Ambasada Gjermane ka thënë për KTV-në se çdo mbështetje e mundshme do të jetë në përputhje me përpjekjet e të gjithë partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të përfshirë.

“Ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me qeverinë e re dhe planet e saj për politikat dhe proceset e rekrutimit. Ambasada gjermane do të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit dhe meritokracisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ambasade.

KTV-ja ka pyetur edhe Ambasadën e ShBA-së se a do të ofrojë ndihmë në këtë proces, por nuk ka marrë përgjigje gjatë të enjtes.

Procesi i vettingut, i cili ka të bëjë me verifikimin dhe vlerësimin e gjykatësve, prokurorëve, policëve e punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë, për ministren e re të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është prioritet.

Haxhiu ka theksuar se ky proces nuk duhet të shihet si hakmarrje ndaj askujt por si mundësi që qytetarët të kthejnë besimin në institucionet e drejtësisë.