PREZANTOHET DRAFT DOKUMENTI PËR HARTË ZONALE PËR KOMUNËN E KLINËS 2020-2028

Komuna e Klinës, si bartës i projektit për hartimin e hartës zonale në Komunën e Klinës, dhe Instituti për Shkencë dhe Teknologji(INSI), që ka mbështetur profesionalisht këtë projekt, sot kanë mbajtur takimin përmbyllës ku është bërë prezantimi i punës së deritanishme të procesit të hartimit të Draft dokumentit të planifikimit të Hartës Zonale të Komunës së Klinës 2020-2028.
Të pranishëm në takim ishin kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtorë të drejtorive komunale, zyrtarë të drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfaqësues të Institutit për Shkencë dhe Teknologji.

Takimin e hapi Kryetari i Komunës, i cili theksoi rëndësinë e hartimit të hartave zonale dhe shtoi se pas një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës gjatë hartimit të këtij dokumenti me qytetarë dhe eksperte të fushave të ndryshme, Komuna e Klinës është e para në Kosovë që po e përmbyll procesin e hartimit të Hartës Zonale sipas kërkesave të reja ligjore, ku janë përfshirë interesat dhe specifikat e të gjitha grupeve të shoqërisë.

Ai po ashtu falënderoi grupet punuese, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe të gjithë ata që kanë marrur pjesë në hartimin e këtij Draft dokumenti “Harta Zonale e Komunës së Klinës”.

Qëllimi i hartimi të Hartës Zonale është të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinor për tërë territorin e Komunës së Klinës dhe do të sigurojë shfrytëzim të përshtatshëm të tokës, mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.