Policia e Pejës në zbatim të urdhërit – Nga ora 22:30 mbyllet

Policia Rajonale e Pejës fuqishëm ka filluar së zbatuari urdhërin që derivon nga institucionet qeveritare, për mbyllje të qytetit me kufizim të lëvizjes së përgjithshme, nga ora 22:30 minuta e mbrëmjes e deri në ora 05:00 të mëngjesit.

Komuna e Pejës futet në mesin e 13 komunave të vendit me numër më të lartë të të infektuarve me Covid 19 e për të cilat komuna, saktësohet në Vendimin Qeveritar të datës 28 Korrik 2020, si në vijim;

Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç:

Në raste urgjente shëndetësore;

Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten;

Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;

Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;

Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (por, nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).

Ekipi i ‘RADIO 1’, ka ndjekur në terren veprimet policore dhe ajo çfarë ka parë, ka qenë qasja shumë profesionale e Policëve të Pejës ndaj personave që gjatë kohës së lëvizjes së lirë, nuk kanë përdorur maskë mbrojtëse (të njejtit janë ndaluar, janë obliguar të vënë maskën dhe kanë marrë gjobë) dhe qasje e njejtë policore ka qenë edhe nga ora 22:30 minuta, kohë kur ka filluar orari i kufizimit të lëvizjes.