Policia dënon dy herë brenda natës shoferin që gati trefishoi shpejtësinë

Policisë së Kosovës i doli punë dy herë radhazi, në të njëjtën natë me një shofer i cili fillimisht ishte dënuar për gati trefishim të shpejtësisë, e pak minuta më vonë ishte dënuar përsëri për dyfishim të shpejtësisë.

Policia ka njoftuar se fillimisht, 49-vjecari ishte ndalur në fshatin Koshare të Ferizajt, në ora 2 të mëngjesit, duke vozitur 129 km/h në një zonë ku maksimumi lejuar është 50 km/h.

Në lidhje me këtë policia, ndaj shoferit me inicialet M.J (M/K) i moshës 49 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 2 pikë negative dhe gjashtë (6) muaj masë mbrojtëse.

Pasi u dënua me këto masa, shoferi ishte nisur vrullshëm në drejtim të Ferizajt, me shpejtësi prej 102 km/h, në të njëjtën zonë.

“I njëjti shofer, pasi ka marrë gjobën është nisur vrullshëm në drejtim të Ferizajt, duke zhvilluar shpejtësi 102 km/h, në po të njëjtën zonë të kufizimit 50 km/h. Matja është bërë nga prapa me radarë, ndërsa ndaj tij është shqiptuar edhe një gjobë për kundërvajtje, prej 150 eurove”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të vozisin me kujdes dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.