Pjesëtarët e FSK-së me vetëmohim për shpëtimin e qytetarëve në aksident

Dy pjesëtaret e Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore të FSK-së, nënoficerët Visar Qakolli dhe Dylber Vrenezi, dje, deri sa ktheheshin në shtëpi nga shërbimi i tyre, kanë hasur në një vet -aksident komunikacioni në rrugë në fshatin Zahaq të Pejës. Një autocisternë ishte rrokullisur dhe brenda saj të ngujuar kishin mbetur dy persona të lënduar. Sipas procedurave standarde të reagimit, pjesëtaret tanë , menjëherë kanë informuar Policinë e Kosovës dhe kanë filluar intervenimin nën kushte të rrezikut shumë të lartë.

Ata kanë nxjerrë personat e lënduar nga automjeti deri sa ishte duke rrjedhur nafta nga cisterna. Pas evakuimit, i është dhënë ndihma e parë me ndaljen e gjakderdhjes dhe fashimin e plagëve. Njëkohësisht kanë menaxhuar me trafikun në vend-aksident duke ndaluar automjetet tjera të afrohen në zonën e rrezikut deri në ardhjen e policisë. Pas ardhjes së tyre dhe autoambulancës iu janë dorëzuar viktimat me informacionin mbi masat e ndërmarra. Si gjithmonë, edhe në këtë rast, veprimi i pjesëtareve tanë dëshmon përkushtimin dhe vendosmërinë e natyrshme që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe vendit deri në vetëmohim.