Personi që u gjet i mbytur në lumin e Klinës dyshohet se është i moshuari që u zhduk që nga muaji dhjetor

Klina info më herët raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur pasditen e sotme, ku një person është gjetur pa shenja jete në lumin e Klinës. Sipas Policisë, trupi i pajetë u has nga një peshkatar i cili kishte dalë për peshkim në atë zonë.

Burimet tonat bëjnë të ditur që dyshohet se i ndjeri është Kadri Gashi nga fshati Sferrkë e komunës së Klinës, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 15 dhjetori i vitit të kaluar.

Personi që u gjet i vdekur sot, ka ndërruar jetë kohë më parë, për shkak se trupi i pajetë është gjetur në gjendje të dekompozuar dhe si pasojë e kësaj është vështirësuar identifikimi i të ndjerit nga familjarët.

Familjarët po dyshojnë se i ndjeri mund të jetë 69-vjeçari që po e kërkojnë tash e sa muaj, pasi që e kanë identifikuar në bazë të rripit të pantallonave.