Përse dita e punëtorëve është më 1 Maj?

Më 1 Maj, punëtorët dhe sindikatat e tyre në çdo vend të botës, protestojnë për të kërkuar të drejtat dhe kushte më të mira pune. Por si mbeti 1 Maji dita simbol e punëtorëve dhe me çfarë ngjarje lidhet ajo?

1 Maji i parë lind në Paris më 1889-ën.

Ideja u hodh gjatë Kongresit të Internacionales së dytë, të mbledhur në kryeqytetin francez.

Objektivi i organizatës së krijuar nga hiri i organizatës së parë ishte ai i koordinimit të aktiviteteve të të gjitha partive kombëtare të lidhura me lëvizjen e punëtorëve. U vendos të realizohej një manifestim i madh për t’i kërkuar autoriteteve publike që të reduktonin ditën e punës në 8 orë.

«8 orë punë, 8 orë argëtim, dhe 8 orë për të fjetur». Ishte kjo moto e krijuar për herë të parë në Australi në vitin 1855 dhe që më pas u përdor nga pjesa më e madhe e lëvizjes së sindikatave në fillim të ‘900-ës. Një moto që i hapi rrugën kërkesave të tjera të përgjithshme dhe caktimit të një dite, pikërisht në 1 maj, ku të gjithë punëtorët mund të takoheshin për të mbrojtur autonominë e tyre.

Zgjedhja e kësaj date u bë si pasojë e incidenteve të rënda të ndodhura në ditët e para të majit të vitit 1886 në Chicago, që njihen si revolta e “Haymarket”.

Në mes të ‘800-ës, punëtorët nuk kishin të drejta, punonin dhe 16 orë në ditë, në kushte shumë të këqija dhe shpesh humbnin jetën në vendet e punës. Në 1 maj të 1886-ës u mbajt një grevë e përgjithshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të reduktuar ditën e punës në 8 orë. Protesta zgjati tri ditë dhe kulmoi në 4 maj, me një masakër të vërtetë ku mbetën të vrarë 11 persona.

Iniciativa u kthye në një simbol të kërkesave të punëtorëve që në ato kohë luftonin për të pasur të drejta dhe kushte më të mira pune. Kështu pavarësisht reagimit negativ të shumë qeverive, në 1 maj të 1890-ës u regjistrua një pjesëmarrje shumë e lartë. Aktualisht kjo datë është festë kombëtare në shumë vende.

Përveç se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dita e punës festohet të hënën e parë të shtatorit. Festa e ka origjinën nga Kanadaja në kujtim të manifestimeve ku punëtorët kërkonin orar të reduktuar pune nën emrin e “Lëvizjes së nëntë orëve”.