Përkujtohet Beteja e Lavdishme e Gremnikut, më 3 korrik mbahet takimi përkujtimor

Të enjten, më 3 korrik 2025, në ambientet e Shkollës së Gremnikut, do të mbahet takimi përkujtimor kushtuar njërës prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Betejës së Gremnikut.

Ky përvjetor shënon një moment të rëndësishëm reflektimi e nderimi për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së, që në këtë përballje frontale me forcat serbe, treguan vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të lirisë.

Në këtë tubim përkujtimor pritet të marrin pjesë bashkëluftëtarë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të luftës, përfaqësues institucionalë si dhe qytetarë të shumtë, të cilët me praninë e tyre do të shprehin respektin ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Takimi mbahet më 3 korrik 2025 në ora: 19:00 në Shkollën e Gremnikut.

Në njoftimin e tij publik, komandant Fadil Gashi, njëherit kryetar i Kuvendit Komunal në Klinë, theksoi rëndësinë e këtij përvjetori si një akt bashkimi rreth vlerave të luftës çlirimtare dhe përkujdesjes për kujtesën historike të kombit.