PDK kërkon që në seancën e parë të Kuvendit të hidhet në votim Trusti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar që në seancën e parë në sesionin e ri në Kuvend të dërgohet sërish Projektligji për tërheqjen e 30% të mjeteve financiare nga Trusti.

Haxhiu vlerësoi se tërheqja e parave nga Trusti është e domosdoshme për shkak të krizës ekonomike.

“Pas refuzimit të Kuvendit për ta votuar projektligjin për Trustin, qytetarët filluan të mblidhen vet, e të sigurojnë po ashtu nënshkrime. Nga data 15 korrik, vazhdon të sillet nga sirtarët e Kuvendit tek sirtarët e Qeverisë, e tani që një kohë është i bllokuar nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere. Shpresoj shumë që kryesia të jetë e vëmendshme, mos të vazhdojë me shkelje të mëtutjeshme të rregullores dhe në seancën e parë të Kuvendit, të vije sërish projektligji për Trustin. Është domosdoshmëri e kohës për shkak të krizës ekonomike”, deklaroi Haxhiu.

Njëherit, Haxhiu bëri të ditur se sipas raportit të Bankës Qendrore, vetëm në vitin e fundit ka 1.5 miliardë kredi të reja në Kosovë.

“Sipas raportit të Bankës Qëndrore, 4.2 miliardë kredi total në Kosovë, vetëm në vitin e fundit 1.5 miliardë janë kredi të reja. Pra, qytetarët kanë hyrë në borxhe për të paguar drunjtë ose gjërat elementare. Prandaj, do ishte më pak e kushtuar për ta që të merrnin disa nga kursimet e tyre”, tha tutje Haxhiu.

Tutje, ai në Tëvë 1 theksoi se Trusti si organizim dhe fond i kursimeve individuale, ka qenë i domosdoshëm duke marrë parasysh inflacionin dhe COVID-19. Mirëpo sipas tij, tani është nevoja të krijohet një model i ri, kur gjenerata paguan për gjeneratën.

SHARE