Paralajmërohet një megaaksion, pritet arrestimi i 50 policëve

Një hetim kundër korrupsionit dhe kontrabandës në pikat kufitare në Qafe Morinë dhe në Qafë të Prushit, i nisur rreth një vit më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, rezultoi me identifikimin e dhjetëra zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Speciale njoftuan se si rezultat i këtij hetimi, rreth 50 zyrtarë policorë pritet të vihen në pranga të IPK-së nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.

Në mesin e zyrtarëve policorë të identifikuar si të dyshuar për korrupsion janë edhe dy komandantët e pikave kufitare që ishin objekt hetimi, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç zyrtarëve policorë, në pranga do të bien së paku edhe dy zyrtarë doganorë, të cilët për një periudhë kohore kanë shërbyer në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafa e Prushit.

Sipas burimeve të Sinjalit arrestimet po realizohen në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.

Zyrtarët policorë dhe ata doganorë dyshohet se për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetareve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.

Hetimi i realizuar nga IPK-ja nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës është një nga goditjet më të rënda të korrupsionit brenda Policisë së Kosovës që nga themelimi i këtij institucioni.