Paralajmërohet burgim deri në 5 vjet për ata që po kurdisin rritjen e çmimeve

Aksioni i djeshëm i Krimeve Ekonomike dhe Inspektoratit të Tregtisë, pas rritjes enorme të çmimi të vajit dhe të produkteve të tjera bazë rezultoi me mbylljen e disa depove të supermarketeve që dyshohet se manipuluan me çmimin e vajit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të nisë hetimet derisa ka theksuar se kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë.

Ajo ka paralajmëruar se ata që kurdisin rritjen e çmimeve mund të dënohen me burgim deri 5 vite.

“Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Gjatë ditës së djeshme, çmimi i vajit ka arritur në 3.5 euro për litër, ndërkohë që një komplet me vezë (30 copë) është shitur për gati 5 euro. Shtrenjtim ka pasur edhe në produkte të tjera.

Në orët e mbrëmjes është aktivizuar edhe Prokuroria e Shtetit dhe Krimet Ekonomike të Policisë.