Osmani: Vizat duhet të liberalizohen deri në dhjetor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot me ceremoni shtetërore homologun e saj, George Vella.

Pas takimit ata mbajtën një konferencë për media, ku Osmani shprehu mirënjohjen për shtetin e Maltës për mbështetjen e dhënë.

Ajo ka thënë se kjo vizitë është dëshmi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore.

Por, Osmani foli edhe për liberalizimin e vizave duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, teksa shtoi se kjo është një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ku proces. Prandaj, shpresojmë që vendimi të merret më së largu deri në dhjetor, përgjatë presidencës çeke dhe që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deri tanishme, duke mos përcaktuar kritere të reja teknike, të cilat vetëm sa do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo.