Nuk ka “Shën Gjergj” sivjet, Policia janë vazhdimisht në terren

Këshilli i fshatit Dejnë, përmes një njoftimi në Facebook, ka treguar se sivjet s’do të ketë festë të Shën Gjergjit, çka se ka apeluar qytetarët që mos të mblidhen pa nevojë.

Ata kanë thënë se Komuna ka urdhëruar Inspektoratin Komunal që të bëj vendosjen e shiritave në vendet ku kjo festë mbahet tradicionalisht në këtë fshat.

Ky është njoftimi:

Të nderuar qytetarë

Tanimë kur të gjithë e dimë situatën e krijuar pas shfaqjes së pandemisë COVID-19, ju thërrasim që të bëni shumë kujdes dhe mos u mblidhni pa nevojë, me 6 maj 2020, me rastin e festës tradicionale të “Shën Gjergjit”.

Ju informojmē se, sot Komuna ka urdhëruar Inspektoratin Komunal që të bëjë vendosjen e shiritave në vendet ku kjo festë mbahet tradicionalisht, pra në fshatin Dejnë.

Në bazë të kësaj urdhërese është i ndaluar rreptësisht grumbullimi i dy ose më shumë personave, poashtu, aktivitete të tilla në këtë kohë janë të ndaluara me rekomandim të qartë të IKSHPK-së, me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe parandalimit të përhapjes së virusit korona.

Gjatë këtyre ditëve, Stacioni Policor në Rahovec në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal do të jenë vazhdimisht në terren për kontrollimin dhe mbikëqyrjen e situatës, e ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë këto masa dhe kufizime, do të merren të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë gjobat mandatore dhe masa të tjera ndëshkuese, të parapara me ligjet dhe aktet nënligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Ju bëjmë thirrje të vetëpërmbaheni, dhe të keni kujdes, sepse ende ekziston rreziku i përhapjes së COVID-19 në vendet ku ka grumbullim të njerëzve.