Nis zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për letërnjoftime

Filloi zbatimi i marrëveshjes për letërnjoftime, marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë edhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Gazetarët konfirmojnë se në Merdare e Jarinjë po zbatohet marrëveshja e Brukselit për letërnjoftimet. Raportohet se autoritetet serbe po e zbatojnë marrëveshjen duke i pranuar dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Republika e Kosovës.

Në pikën kufitare të Bërnjakut, sonte ka qëndruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të parë nga afër respektimin e marrëveshjes.

Ai ka konfirmuar se dokumentet për hyrje-daljet nuk po lëshohen më në pikat kufitare. Sveçla tha se shpreson që me këtë dinamikë të kalojë edhe çështja e targave.

Deri më tash, Serbia pajiste me një dokument të përkohshëm shtetasit kosovarë që udhëtonin drejt Serbisë apo që kalonin tranzit.

Marrëveshja për letërnjoftimet mes Kosovës dhe Serbisë është arritur javën e kaluar pas disa takimeve intensive me ndërmjetësim të emisarëve nga BE e SHBA.