Ngritet aktakuzë ndaj 20 personava të një grupi kriminal

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj 20 personave.

11 nga personat e dyshuar, sipas njoftimit të prokurorisë,akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. Ndërkaq 9 të tjerë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Prokuroria Speciale bën të ditur se, 11 nga të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2018 e deri në muajin korrik të vitit 2019 në qytete të ndryshme të Kosovës kanë vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal.

“Të pandehurit, AF., A.S., P.F., A.F., P.F., G.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., dhe P.M., nga fillimi i vitit 2018 deri më 24.07.2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende tjera në territorin e Republikës së Kosovës, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal dhe si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

Sipas aktakuzës 11 të dyshuarit me qëllim që vetës apo personit tjetër t’i mundësojë përfitime financiare të kundërligjshme, duke vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët, kanë bërë në mënyrë të paautorizuar importin e armëve dhe municionit të kalibrit të ndryshëm.

“Me këto veprime njëmbëdhjetë të pandehurit, AF., A.S., P.F., A.F., P.F., G.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., dhe P.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1 të KPPK-së, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa 9 të dyshuarit e tjerë, sipas Prokurorisë kanë mbajtur ilegalisht armë ilegale në shtëpi. Këto armë janë gjetur dhe konfiskuar më 24 korrik, kur është bërë bastisje e shtëpitëve të tyre.

“Ndërkaq, të pandehurit B.A., F.U., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J. dhe S.K., nga data e pa caktuar e deri më 24.07.2019, në shtëpitë e tyre secili veç e veç kanë mbajtur pa autorizim, në pronësi, kontroll ose posedim, armë në shkelje te nenit 366 paragrafi 1 dhe 2 të KPK-së. Të njëjtit kanë mbajtur armë dhe municion të llojeve të ndryshme, me ç‘rast të njëjtat i janë konfiskuar gjatë ditës së kontrollit nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, këta persona të dyshuar kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së./