Nesër në ora 10:00 certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se nesër në orën 10:00 do të certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

“Ju njoftoj se të shtunën (13 mars 2021, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është: Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021”, njofton Elezi.

Kujtojmë se deri tash sipas rezultateve që janë publikuar në faqen e KQZ-së, fituese e zgjedhjeve ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, ku ka marrë rreth 50 për qind të votave.