Në pikë të mëngjesit, tre persona të armatosur grabisin bankën në Prishtinë

Filiali i Bankës Kombëtare Tregtare në lagjen Dardania në Prishtinë është grabitur këtë mëngjes.

Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se grabitja ka ndodhur rreth orës 08:40.

Sipas Policisë, grabitja është kryer nën kërcënimin e armëve nga tre persona të dyshuar.

“Rreth orës 08:40 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një banke në lagjen Dardania në Prishtinë. Policia ka dalë në vendngjarje dhe nga informacionet e para dyshohet që grabitja është kryer nën kërcënimin e armëve nga tre persona të dyshuar”, ka thënë  zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

“Aktualisht po vazhdon ndërmarrja e veprimeve të nevojshme policore me qëllim ndriçimin e rastit”,  ka shtuar Ahmeti. /Reporteri.net