Në Kosovë do të mbahet kampionati i Lojës me Kapuça, interesimi është i jashtëzakonshëm

Klubi Alpin Podguri për herë të dytë do ta organizojë Kampionatin e Kosovës në Lojën me Kapuça, e cila është njëra ndër lojërat më të vjetra që e kanë luajtur të parët tanë dhe qëllimi i këtij organizimi është ringjallja, kultivimi, kodifikimi, digjitalizimi, promovimi dhe bartja tek brezat e rinj, i asaj që quhet trashëgimi e luajtshme shpirtërore e Kosovës.

Duke e vlerësuar lartë Lojën me Kapuça, si dhe numrin e madh të njerëzve që i tërheq rreth vetes kjo lojë, ky aktivitet do të jetë tradicional në Komunën e Istogut.

Kampionati i Kosovës në Lojën me Kapuça do të organizohet nën patronatin e Federatës së Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës (FLSTK), e cila mbahet në Fshatin Kaliqan, në odën e Osmanajve, këtë të diel me fillim nga ora 09:00.

Pjesëmarrës pritet të jenë rreth 24 ekipe nga komunat e ndryshme të Kosovës, si dhe mbi 200 mysafirë nga e gjithë Kosova.

Po ashtu, do të ketë mysafirë edhe nga Komuniteti i sportit të Kosovës, njerëz të artit, të kulturës e të shkencës.

Kampionati i parë i Kosovës në Lojën me Kapuça ishte mbajtur në fillim të vitit 2020 në Komunën e Istogut, Fshati Kaliqan, po ashtu në odën e Osmanajve, dhe gjithashtu i organizuar nga Klubi Alpin Podguri nën patronatin e Federatës së Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës (FLSTK).

Qëllimi i këtij organizimi është që të rikthehet tradita e këtyre lojërave, të kultivohet ajo, të luhet, të kodifikohet, të digjitalizohet dhe të bartet tek brezat e rinj kjo lojë që është luajtur me qindra e mijëra vjet në trevat tona e më gjerë.

Historiku i Lojës me Kapuça

Loja luhej nga djemtë e moshës madhore deri tek burrat e shtyrë në moshë, të cilët mblidheshin në sezonin e dimrit për t’i kaluar netët e gjata të dimrit, ose në dasma e gosti.

Merrnin pjesë gjashtë deri në tetë persona, të cilët ndaheshin në dy grupe ulur në gjunjë disa hapa larg njëri-tjetrit, në mes të odës.

Mbasi të jenë siguruar kapuçat (mestet ose çorapët), e hidhnin shortin se kush prej tyre do ta fsheh kokrrën (plumin) i pari dhe kështu fillonte loja.

Ajo skuadër që e para i plotëson 100 pikë del fituese.

Pastaj grupi që del fitues së bashku me të gjithë të pranishmit tjerë që nuk kanë luajtur, ngriten në këmbë, lidhen krah me krah në mes vete, duke krijuar një rresht burrash dhe fillojnë t’i këndojnë grupit që e ka humb lojën, me këngë tallëse dhe ofenduese e shpesh herë edhe fyese, ashtu siç e donte zakoni i lojës.