Në Gjakovë dhe Gjilan sot fillon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë

Sot do të fillojë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë në Komunën e Gjakovës dhe Komunën e Gjilanit.

Procesi i vaksinimit me vaksinën antiCOVID-19 AstraZenca do të filloj në orën 08:00 në Qendrën e Mjekësisë Familjare Çabrati.

Kështu kanë njoftuar nga zyra për informim e Komunës së Gjakovës.Edhe nga Komuna e Gjilanit kanë njoftuar se sot personeli shëndetësorë i kësaj komune do të vaksinohen me vaksinën antiCOVID-19. M këtë rast do të mbahet Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, i cili do të mbahet në ora 10:00, te Qendra e Studentëve.

Pas takimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri do të mbajë konferencë për media.“Ju ftojmë të merrni pjesë në takimin e Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, i cili mbahet me fillim në ora 10:00, te Qendra e Studentëve.

Pas takimit (10:10) kryetari Lutfi Haziri do të mbajë konferencë për media, për të vazhduar më pas me procesin e vaksinimit”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e informimit të Komunës së Gjilanit.

Vaksinat antiCOVID-19 arritën në Kosovë në mbrëmjen e 28 marsit, për të filluar menjëherë të nesërmen me përgatitjet për të vaksinuar personelin shëndetësorë. I pari që mori vaksinën antiCOVID-19 ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pas Kurtit, pra të hënën u vaksinua edhe zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Isme Humolli, infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmti dhe aktori Selman Jusufi.

Ndërsa të martën, ka filluar procesi i vaksinimit të personelit shëndetësorë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

AstraZeneca, jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh,ndërsa Kosova mbrëmë ka pranuar 24 mijë doza e para të kësaj vaksine. Këto doza janë siguruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Në bazë të planit të vaksinimit në fazën e pare do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.Faza e dytë përfshinë grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.