Moti në Kosovë gjatë vikendit

Në fundjavë mot i thatë me vranësira të ndryshueshme. Të hënën në mëngjes reshje të dobëta shiu

Në ditët e fundjavës vendi ynë do të jetë nën ndikimin e fushave të presionit të lartë, që do të kushtëzojnë mot të thatë dhe me vranësira të ndryshueshme, ndërsa rryma të ngrohta ajrore nga Mesdheu do të mbajnë temperaturat mbi vlera mesatare, bën të ditur Prishtina Weather.

Sipas shërbimit të meteorologjisë, “nga dita e diel dhe në fillim të javës së ardhshme, një ciklon nga Atlantiku do të depërtojë në jug të rajonit që pritet të sjellë reshje të dobëta shiu ditën e hënë, e nga verilindja do të depërtojnë masa më të freskëta ajrore që do të zbresin lehtë temperaturat. Në vise malore mbi 2000m priten mundësi edhe për reshje bore”.

“Sa i përket cilësisë së ajrit, ditëve të fundjavës priten përmirësime, për shkak të qarkullimit ajror që do të ndikojë që vlerat e AQI-së të zbresin në vlera mesatare dhe të kënaqshme”, thekson PW.

Parashikimi për datat 23-27 nëntor:

23.11 – Në mëngjes kryesisht me vranësira dhe mjegull në ultësira. Ditën pjesërisht vranët dhe me intervale me diell. Në mbrëmje kthjellime.

24.11 – Kryesisht vranët. Në mëngjes vende-vende mundësi për mjegull. Vonë në mbrëmje mundësi për riga lokale shiu.

25.11 – Më freskët, kryesisht vranët. Në mëngjes vende-vende reshje të dobëta shiu. Në vise malore mbi 2000m priten reshje bore.

26.11-27.11 – Ditën e martë, kryesisht me vranësira. Të mërkurën, mot më i butë, me vranësira dhe intervale me diell.

Temperaturat e ajrit, edhe më tutje mbeten mbi vlera mesatare. Minimalet do të luhaten nga 2C deri në 5C, e maksimalet nga 11C deri në 14C.

Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga juglindja 2-10m/s.

Shtypja atmosferike gradualisht do të zbres nën vlera normale.