MKRS-ja ua ndalon nëpunësve të saj të shprehin mendimet politike në rrjetet sociale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ua ka ndaluar zyrtarëve të saj të shprehin mendimet e tyre që lidhen me politikën në rrjetet sociale.

Përmes një qarkore, që të enjten e ka nisur sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Ibër Alaj, nëpunësve u është ndaluar shprehja e mendimit politik me arsyetimin se duhet të ruajtur “niveli, paanshmëria e nëpunësve civilë” dhe se kështu veprohet në të gjitha shtetet demokratike.

“Çfarëdo akti apo aktiviteti që në një mënyrë apo në një tjetër minimizon parimin e paanshmërisë politike të shërbimit civil është plotësisht e papranueshme për MKRS-në, pasi kjo do të dëmtojë besimin e publikut në paanshmërinë politike të shërbimit civil”, thuhet ndër të tjera në qarkoren e firmosur nga Alaj, ish-sekretar i Forumit të Rinisë të LDK-së.

Në qarkore, po ashtu nëpunësit civil janë kërcënuar se ndaj tyre do të merren “masa adekuate për çdo shkelje të mundshme të rregullave dhe parimeve nga nëpunësit civil”.

Një gjë e tillë, çfarë kërkohet me këtë qarkore, nuk parashihet në Ligjin për shërbimin civil.