Ministrja e MPJD-së i kërkon Hotit, ta shikojnë mundësinë e hapjes së aeroportit

Aeroporti i Prishtinës në vazhdimësi po njofton se fluturimet ende mbesin të bllokuara deri në një vendim të qeverisë.

Një situatë e tillë ka shkaktuar shumë pakënaqësi tek shumë bashkëatdhetarë e kosovarë që shkaku i pandemisë kanë mbetur të bllokuar në shtete të ndryshme. Madje disave u kanë skaduar edhe lejet e qëndrimit.

Lidhur me këtë, pas mesnate ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka treguar se ka marrë shumë mesazhe dhe ankesa për mos hapjen e aeroportit.

Ajo ka thënë se i ka drejtuar shkresë zyrtare kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, dhe ministrit Zemaj për të shikuar mundësinë e hapjes së aeroportit të Prishtinës, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e OBSH-së.

Reagimi i Haradinaj-Stublla:

Me qindra mesazhe dhe telefonata nga diaspora jonë kanë ardhur këto ditë në adresën time dhe të MPJD-së, me kërkesën për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

I mirëkuptoj të gjitha këto shqetësime, veçmas për shkak të anulimeve të vazhdueshme të avio-biletave, koston e madhe financiare dhe pasigurinë nga gjendja e krijuar.

Po për këtë temë, në mëngjesin e sotëm i kam dërguar shkresë zyrtare Kryeministrit Hoti, Ministrave Zemaj dhe Abrashi, që të shohin të gjitha mundësitë që sa më parë të hapin Aeroportin e Prishtinës dhe t’i lejojnë fluturimet, gjithmonë duke respektuar dhe ndjekur udhëzimet e IKSHP-së dhe OBSH-së.

Do të kërkojmë zgjidhje të përshtatshme dhe të sigurtë për bashkëqytetarët tanë dhe për rikthimin në punë të Aeroportit të Prishtinës sa më parë të jetë e mundur.