Mehaj: Obligimi ushtarak, vetëm në koordinim me SHBA-në

Kosova është në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të parë mundësitë se në çfarë fazash mund të bëhet obligimi ushtarak për qytetarët e vendit në të ardhmen, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në raportimin para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme, Mehaj ka thënë se aktualisht Ushtria e Kosovës ka plan vetëm për ushtri pforesionale.

“Besoj se është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës që të kemi ushtri të mirëfilltë, po të jetë edhe mundësia që çdo individ të shërbejë në Ushtrinë. Përkohësisht plani është i hartuar për ushtri profesionale, por ne jemi në koordinim me partnerë për të parë mundësitë se në çfarë faza e mundësish mund të bëhet obligative ushtria në të ardhmen. Duhet të marrim plane konkrete edhe të shteteve tjera, si ato shtetet baltike që kanë kaluar të njëjtat faza e me kërcënime nga Rusia, siç ne kemi nga Serbia. Jemi në koordinim, por me më rëndësi është të ceket që çdo veprim merret në koordinim me SHBA-në për benefite të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, në Kosovë ka interesim të madh të të rinjve për t’u bërë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës.

Ka thënë se për afro 400 pozitat e mëhershme që u rekrutuan kanë qenë rreth 6000 aplikime, ndërsa për rreth 840 sa kërkohen tash për vetëm tri ditë ka mbi 1000 aplikime.

Rekrutimin e ushtarëve të rinj, Mehaj ka thënë se po e bëjnë bazuar në planin e koordinuar me aleatët.