Mbledhja e qeverisë, ja të gjitha vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e rregullt, të 84-tën me radhë.

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme është vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2022, në të cilin shtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L -046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, Projektligji për Performancën Energjetike në Ndërtesa, Projektligji për Planifikim Hapësinor, dhe Projektligji për Inspektime Shëndetësore.

Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marrë Projektligji për Ratifikimin e traktatit mbi ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.

Është miratuar edhe Rregullorja për koordinimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës për Deminim Humanitar.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin me të cilin Agjencia e Statistikave të Kosovës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bartet në Zyrën e Kryeministrit.

U miratua edhe ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit të Qeverisë për nominimin e përfaqësuesve të Qeverisë Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

Me qëllim parësor mbrojtjen e konsumatorit, si dhe mbrojtjen e konkurrencës, pas shqyrtimit është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme dhe Masat e tjera mbrojtëse.

Me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është miratuar edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës ratifikimin e anëtarit ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Qeveria ka ndarë njëzet mijë e shtatëqind e njëzet e një euro (20,721.00) për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022 në Qendrën Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjat me seli në Shkup.

Me qëllim të funksionalizimit të Komisionit të Ankesave për të Huaj, u miratua ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të këtij Komisioni.

Qeveria ka rialokuar tre milionë euro në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për realizimin e njëzet e pesë (25) projekteve kapitale në përputhje me marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga ministri i MAPL, kryetarët e komunave dhe donatorët.

Ka marrë aprovimin e Qeverisë edhe vendimi për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, sipas propozimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat gjenden brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës, ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Këto shpronësime bëhen për nevoja të realizimit të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Strategjia Kombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz në Kosovë 2022-2026 dhe Plani i Veprimit 2022-2024.

Në vazhdën e miratimit të dokumenteve strategjike nga Qeveria, është miratuar edhe Plani i Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.

U miratuan katër nisma për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare, me propozimin e Zyrës së Kryeministrit:

Nisma për lidhjen e Marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut;

-Nisma për Memorandumin e Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për zbatim të Marrëveshjes dypalëshe në lidhje me bashkëpunimin për zhvillim;

-Nisma për Amendamentin 2. të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015;

-Nisma për amendamentin 2. të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018.

Si pjesë e Reformimit të sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative, u miratua Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit të Konfiskimit. Hartimi i koncept dokumentit ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përdorimi i pasurive të konfiskuara për ripërdorim shoqëror për kompensimin e viktimave të krimit dhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e konfiskimit.

Në mbledhjen e sotme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal informoi Kabinetin Qeveritar për investimet kapitale në vlerë një (1) milion euro, në projektin “Mbështetja për projektet infrastrukturore për komunitete në komunat e Republikës së Kosovës”.

Me propozimin e Ministres së Drejtësisë u aprovua vendimi për dhënien në shfrytëzim të pasurive të konfiskuara për nevoja të institucioneve qendrore apo lokale.

U miratua shfuqizimi i vendimit për emërimin e Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

SHARE