Mbi 345 mijë nxënës sot ia mësyjnë bankave shkollore

Pas 30 ditësh pushim, më shumë se 345 mijë nxënës të nivelit para-universitar sot do t’u rikthehen bankave shkollore.

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor do të fillojë sipas skenarit A dhe varësisht nga gjendja me pandemi, mund të kalojë në skenarin B – mësim i kombinuar ose mësim online, si pjesë e skenarit të tretë C nga Ministria e Arsimit, transmeton kp.

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, ka uruar dje nxënësit e mësimdhënësit me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të procesit mësimor.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) ka bërë me dije se e përkrah rifillimin e procesit mësimor më 18 janar, por kujton se nëse institucionet nuk reflektojnë, atëherë nuk e përjashtojnë grevën e përgjithshme në arsim.

SBASHK-u kërkon paga shtesë për çdo punëtor të arsimit prej 100 euro në muaj me arsyetimin se e kanë rrezikuar shëndetin duke punuar në shkolla gjatë pandemisë me koronavirus.

Kjo sindikatë po ashtu kërkon kontratë kolektive të përhershme për punëtorët e arsimit, e cila ndër tjerash, do të parashohë tri paga me rastin e pensionimit, nga një pagë jubilare dhe shujta.

Gjysmëvjetori i parë i procesit mësimor përfundoi më herët se sa ishte planifikuar për shkak të gjendjes me koronavirus në vend, ndërsa pjesa e dytë e procesit mësimor pritet të përfundojë në muajin qershor.