Marigona Geci e tërheq nënshkrimin për seancën ku do të votohet Projektligji për Rimëkëmbje, shkak PDK-ja

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Marigona Geci e ka tërhequr nënshkrimin për seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet nesër, e ku pritet miratimi i projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Kjo pasi që inicimi i kësaj seance është bërë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gazetës Express raporton se Marigona Geci e ka marrë këtë vendim pas atij të PDK-së për ta përkrahur Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ajo këtë kërkesë për seancë e kishte nënshkruar fillimisht për ta tërhequr më pas, kur PDK`ja në një konferencë për media konfirmoi se ishte po kjo parti që e thirri këtë seancë.

“Unë e kam nënshkruar listën e LDK-së për iniciativën e LDK-së për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike sikur herën e parë, e jo për nismën e PDK-së. Tërheq nënshkrimin tim nga lista nënshkruese e LDK-së, që I është bashkangjitur PDK-së”, thuhet në letrën e saj dërguar kabinetit të kryetares së Kuvendit.

Ndërkohë, me iniciativën e PDK`së është ftuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës, votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Në ditën kur është nënshkruar marrëveshja e koalicionit, Marigona Geci është zotuar se nuk do ta përkrahë asnjë marrëveshje në Kuvend të Kosovës në të cilën bën pjesë edhe PDK-ja.

Njëjtë ka thënë që do të veprojë edhe kurdoherë kur LDK-ja mund të nënshkruaj një marrëveshje koalicioni me PDK`në.