Lista Vjosa merr 6 deputetë, tani mund të pavarësohet nga Kurti dhe të krijojë Grup Parlamentar

Lista Guxo e udhëhequr nga Vjosa Osmani, u.d. e Presidentes së Kosovës, në zgjedhjet që u mbajtën të dielën e kaluar, garoi me 14 kandidatë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. E të dhënat e para tregojnë se kjo listë ka arritur të sigurojë deri më tani 6 ulëse të deputetit në Kuvend.

Deri më tani, Lista Guxo ka arritur të fitojë mjaftueshëm deputetë për të krijuar një grup parlamentar të veçantë.

Listës së deputetëve i prin Vjosa Osmani, e cila raportohet t’i ketë fituar mbi 200 mijë vota duke e bërë politikanën më të votuar në histori të zgjedhjeve.

Përveç Osmanit, votat për t’u bërë deputete i ka siguruar edhe Donika Gërvalla, e bija e heroit Jusuf Gërvalla.

Edhe doktori nga Prizreni, Haxhi Avdyli, që ishte deputet i LDK-së në legjislaturën e fundit, do të jetë deputet në legjislaturën e ardhshme.

Krahas tij, do të jetë Faton Peci, shefi i Kabinetit të Osmanit.

E lista e deputetëve të iniciativës së Osmanit mbyllet me Doarsa Kica e Leonora Sfarça.

Ditë më parë, Peci paralajmëroi mundësinë e krijimit të grupit parlamentar nëse ka pajtueshmëri të dyanshme për këtë gjë.

“Nëse në ecje e sipër ka pajtueshmëri të dyanshme, se do të ishte në interes të palëve, nuk shoh diçka të keqe edhe nëse vjen te themelimi i një grupi të ri parlamentar. Por nuk ka qenë asnjëherë preokupim i yni se sa deputetë do të fitojë lista jonë”, pati thënë Peci.

Kujtojmë që në zgjedhjet e 14 shkurtit lista e Osmanit ishte pjesë e listës së LVV-së.