Ligji i Pagave në Sektorin Publik/ Vlera e koeficientit mbetet enigmë, Qeveria tregon se kur vendoset përfundimisht

Kuvendi i Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Pagat në sektorin publik.

Mirëpo, ende nuk është saktësuar se sa do të jetë vlera e koeficientit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për IndeksOnline se vlera e koeficientit do të caktohet gjatë muajit janar.

Poashtu ai ka bërë me dije se totali i përgjithshëm i buxhetit për pagan ë sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

“Me ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro. Ndërkaq, vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tëresinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, tha Kryeziu.

Kujtojmë se një ditë më parë, presidentja e Kosovës, Vosa Osmani, e ka dekretuar Ligjin e Pagave duke i hapur rrugë kështu publikimin në gazetën zyrtare.

Ky ligj, pritet të hyj në fuqi më 1 shkurt./