LDK-ja fajëson KQZ-në për rrëzimin e Qeverisë

(Kosovapress) – Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Komisionin Qendror Zgjedhor për rrëzimin e Qeverisë Hoti. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se qeveria që u udhëhoq nga LDK-ja e pësoi për shkak të lejimit që KQZ-ja ia bëri Etem Arifit për të kandiduar për deputet.

Të hënën Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Arifi për Qeverinë Hoti dhe e çoi vendin në zgjedhje të reja. Haziri ka thënë se LDK-ja pranon vendimet e Kushtetueses, por “këtë të fundit po e paguajnë për shkak të dikujt tjetër”.

“Vendimi i Gjykatës nga ana e LDK-së është pranuar gjithmonë, pavarësisht cili ka qenë verdikti i saj, pavarësisht cila palë ka dërguar rastin në Gjykatë për të zbardhur dyshime të caktuara. Në këtë rast, Gjykata ka konstatuar që vota e një deputeti ka qenë e pavlefshme për shkak të vendimit të prerë të Gjykatës Supreme, e që në fakt ka të bëjë me organet tjera kushtetuese. Ka të bëjë me KQZ-në, e cila ka certifikuar deputetin dhe nuk ka qenë në varshmëri. Faktikisht, në dëm të tjetërkujt, Qeveria e paguan çmimin tash të legjitimitetit”, thotë ai.

Në zgjedhjet e reja, Haziri thotë se LDK-ja do të hyjë e vetme në garë.

“Ne do të garojmë për të dalë fitues, natyrisht si gjithmonë. Lista do të përmbajë emra më kredibil, më përfaqësues dhe përkundër garës së vështirë që pritet me qenë… Nuk do të jetë e lehtë por natyrisht që ne konkurrojmë për të dalë fitues në këto zgjedhje… Nuk pritet ndoshta në raport me LDK-në me ndodhë kurrgjë tjetër pos që LDK-ja parimisht do të garojë e vetme. Nëse arrijmë të ndërtojmë koalicione ideologjike ose koalicione parimore, është çështje krejt tjetër, por jo me rivalët politikë. Nuk pritet me pas koalicion me rivalët politikë. Rivalët politikë janë Vetëvendosja dhe PDK-ja”, thekson Haziri.

Ai ka shtuar se s’ka pasur asnjë emër që është diskutuar në këtë parti për postin e presidentit apo kryeministrit.

KQZ-ja kishte bërë të ditur se i kishte lejuar kandidatët të garojnë, bazuar në një aktgjykim që Supremja kishte nxjerrë për ish-deputetin Zafir Berisha me të cilin i kërkoi KQZ-së t’ia kthejë licencën kandidatit. Sipas KQZ-së, ky shërbeu si precedent gjyqësor për të mos lejuar kontrollin e përshtatshmërisë së kandidatëve nga ana e KQZ-së.