Kushtetuesja ia shemb skenarin Thaçit e LDK-së

Nuk ka funksionuar skenari i presidentit Hashim Thaçi dhe i Lidhjes Demokratike (LDK), nëpërmjet të cilit synohej të vihej jashtë loje Gjykata Kushtetuese gjatë procesit të kontestuar për formimin e Qeverisë së re. Ndonëse në ditë feste, gjykata e ka ndalur këtë mësymje.

Të premten Kushtetuesja ka kumtuar se me shumicë votash, ka vendosur të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj dhe që të pezullojë menjëherë zbatimin e Dekretit të firmosur një ditë më parë nga Presidenti, shkruan KOHA.

“Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Presidenti Thaçi dhe LDK-ja aplikuan një skenar, nëpërmjet të cilit synohej të bëhej realitet faktik formimi i qeverisë së re, duke ia pamundësuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë procesin të cilit ia konteston kushtetutshmërinë. Me të përfunduar orari i rregullt i punës të enjten, Thaçi publikoi Dekretin për ta caktuar të propozuarin e LDK-së, Avdullah Hoti, si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Menjëherë pas kësaj, LDK-ja kërkoi për të shtunën mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme të rendit të ditës – zgjedhjen e Qeverisë. Veprimet synohej të merreshin përgjatë tri ditëve që gjykata ishte në pushim – e premtja është festë zyrtare, meqë bie më datë 1 Maj, ndërsa e shtuna dhe e diela janë ditë vikendi.