Kurti: UÇK do të dalë e pastër nga gjyqet e imponuara nga politikanë jolargpamës

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, ku pritet të zgjidhet kryesia e re e këtij subjekti.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se  po bëhen një vit e 7 muaj qeverisje.

Ndër të tjera ai, tha se përkrahja për ekonominë do të vazhdoj në forma të ndryshme.

Kurti ka thur lavde për të gjithë ish kryesinë e kaluar të këtij subjekti.

Teksa ka kujtuar kontributin e Rexhep Selimit në kryesinë e VV-së, Kurti foli edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku tha se ajo ishte e drejtë, andaj edhe do të dalë e pastër nga gjyqet, që ai i quan, të imponuara padrejtësisht nga politikanë jolargpamës.

“UÇK-ja ishte dhe është e drejtë andaj do të dalë e pastër edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë që u mungonte largpamësia”, ka thënë Kurti në këtë mbledhje.

Për Rexhep Selimin, i cili ndodhet në Hagë, tha se ndihet krenar dhe uron që sa më shpejt të lirohet ai dhe të tjerët nga akuzat, sipas tij, të pabaza.

“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kryetar të grupit parlamentar, për të cilin kemi shumë krenari dhe mall pa çka se çmallemi kur kontaktojmë me të, por jam i sigurt që shpejt do ta kemi serish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuzat e pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve”, ka shtuar ai.