Kurti: Për herë të parë, Kosova po shërben si vend pritës i një ushtrimi të udhëhequr nga Amerika

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka publikuar fotografi nga stërvitja e Forcës së Sigurisë së Kosovës përkrah ushtrisë amerikane, stërvitje këto që po bëhen në kuadër të “Defender Europe 21”.

Kurti thotë se për të parën herë Kosova po shërben si vend pritës i një ushtrimi të udhëhequr nga ushtria amerikane në territorin e vet.

Ai shkruan në ushtarët e FSK-së janë duke shfaqur përkushtim dhe profesionalizëm në ushtrime të ndryshme që janë pjesë e “Defender Europe 21”.

“Për herë të parë, Kosova po shërben si vend pritës i një ushtrimi të udhëhequr nga ushtria amerikane në territorin e vet. Trupat tona janë duke shfaqur përkushtim dhe profesionalizëm në ushtrime të ndryshme si pjesë e ushtrimit “Defender 21” në Kosovë, Kroaci dhe Shqipëri”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Për stërvitjet e ushtarëve të FSK-së ka shkruar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se po vazhdojnë me sukses operacionet trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës, krah për krah me forcat amerikane që po bëhen në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”.

Mehaj nëpërmjet një shkrimi në “facebook” ka shpërndara fotografi nga stërvitjet e ushtarëve ku ka thënë edhe se Kosova dhe forcat e saj dëshmojnë fuqishëm partneritetin e ngushtë dhe të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po vazhdojnë me sukses operacionet trajnuese krah për krah me forcat Amerikane, në kuadër të stërvitjes ‘DEFENDER-Europe 21’. Kosova dhe forcat e saj dëshmojnë fuqishëm partneritetin e ngushtë dhe të përhershëm me SHBA-në dhe forcat e saj si dhe gatishmërinë e plotë për të kontribuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Rruga jonë është drejt NATO-s”, ka shkruar Mehaj.