Kurti: Kur e pyeta Haradinajn pse po shkon me PDK, tha – “Mu kanë lodhë mashqit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputeti e AAK-së, Ramush Haradinaj kanë pasur sot në Kuvend një varg replikash e kundër-replikash me njërin-tjetrin.

Kurti e Haradinaj kanë debatuar edhe për arsyet e ndarjes së koalicionit VLAN në vitin 2014, kur Vetëvendosje, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate ishin bërë bashkë duke krijuar një koalicion kundër PDK-së.

Pas disa muajve, ky kolaicion ishte prishur, pasi LDK kishte bërë marrëveshje me PDK-në dhe kishte marrë drejtimin e qeverisë.

Kryeministri Kurti ka thënë së bashkëpunim i VLAN-it ka kolapsuar sepse deputeti Haradinaj dhe ish kryetari i LDK-së bënin gara cili po shkon më parë me PDK-në.

“Unë e mbaj mend mirë edhe bashkëpunimin tonë të parë në kuadër të VLAN-it, ka qenë vjeshta e vitit 2014. Në atë bashkëpunim në kuadër të VLAN-it kolapsoj bashkëpunimi sepse deputeti Haradinaj dhe ish-kryetari i LDK-së (Isa Mustafa) bënin gara cili po shkon më para me PDK-në. E mbaj mend kur e kam pyet Haradinajn pse po shkon me PDK-në, pse po na rrënon VLAN-in dhe nuk e harroj kurrë përgjigjen e tij. Përgjigja e tij ka qenë kjo “mu kanë lodh mashqit”, ka deklaruar mes të qeshurash Kurti.

Lidhur me këtë deklaratë deputeti i AAK-së, Haradinaj e dha një version krejt tjetër.

Ai tha se arsyeja e prishjes së koalicionet ka qenë një deklaratë e Kurtit gjatë protestave ku ky i fundit sipas Haradinajt kishte thënë “pa gjak nuk rrëzohet regjimi”.

“Pse jemi nda ne dhe Vetëvendosje sepse jemi ardhë në një pikë në protesta kur është propozua me  marrë objektin e Qeverisë dhe e kom pyet çfarë do të bëjnë Policia e Kosovës, dhe tha (Kurti) “pa gjak nuk rrëzohet regjimi”, e për mos me derdh gjak për me rrëzu një regjim në Kosovë, jemi nda”, tha Haradinaj.