Kurti: Do të votoja për bashkim me Shqipërinë, nëse do të organizohej referendum demokratik e paqësor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në të ardhmen do të votonte për bashkim me Shqipërinë, nëse kjo do të arrihej përmes një referendumi paqësor dhe demokratik.

 “Në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti.

Në një intervistë për revistën online “Monocle”, Kurti përveç bashkimit me Shqipërinë, ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Shefi i Qeverisë, derisa ka folur edhe për dialogun, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të kenë njohje të ndërsjellë dhe se në këtë çështje Bashkimi Evropian është një faktor me rëndësi.

 “Mendoj se të gjithë duhet të jemi optimistë sepse s’ka rrugë tjetër. Besoj se kemi disa mosmarrëveshje por pjesa qëndrore e marrëveshjes së ardhshme gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke. Tani ne kemi mosnjohje reciproke, pra ne duhet ta njohim njëra-tjetrën, drejt këtij qëllimi ne mund të kemi një deklaratë paqësore së pari ku ne merremi vesh se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën një deklaratë të jo-agresivitetit. Po ashtu mendoj se BE-ja është faktor i rëndësishëm që mund të ofrojë një kornizë për marrëveshjen e ardhshme sepse duhet të jetë mbi frymën e vlera evropiane, rend dhe ligj, demokratizim dhe ballafaqimi me të kaluarën”, ka deklaruar Kurti.

Në këtë intervistë, Kurti foli edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai tha se nuk është i lumtur që ish-presidenti Thaçi po gjykohet në Hagë dhe shtoi se do të donte që ai të përballej me drejtësinë në Kosovë për korrupsionin në paqe.

“Ish-Presidenti Thaçi dëshironte që në një far forme të monopolizonte historinë për përfitime politike. Asnjëherë se kam kontestuar kontributin e tyre gjatë luftës, dhe unë isha po ashtu pjesë e saj, pas luftës disa gjëra ndodhën ku disa udhëheqës të UÇK-së me fuqi politike filluan të fitojnë përfitime materiale dhe idealizmi i tyre devijoi. Absolutisht jo (nuk i gëzohem gjykimit të Thaçit në Hagë), unë do të doja që ata të përballen me drejtësinë në Kosovë për korrupsionin që e kanë bërë këtu në Kosovës, sepse ata janë kryesisht përgjegjës për privatizimin abuziv dhe tenderomaninë. Kështu që ata do të duhej të gjykoheshin në Kosovës për krime paqeje që i kanë bërë ekonomisë dhe shoqërisë dhe jo nga një gjykatë “sui-generis” që ka mungesë trasnparence dhe që po merret me diçka që është trajtuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY), nga gjykatat e UNMIK-u dhe ato të EULEX-it. Është një gjykatë tjetër speciale dhe kemi një trajtim special, unë do të doja një trajtim normal, gjykata normale në Kosovë që merren me krimin dhe korrupsionin” ka shtuar kryeministri.

Kryeministri Kurti foli edhe për mundësinë e referendumit për bashkim me Shqipërinë dhe integrimin në BE.

“Nëse do të kishte dy referendume njerëzit do të votonin për bashkim. Unë jam kryeministër këtu që fitoi mbi premtimin për punë dhe drejtësi dhe punësim për rininë. Në këtë mandat ky është prioriteti im, por në të ardhmen sigurisht që nuk do ta përjashtoja mundësinë, megjithatë mendoj se për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, mënyra më e shpejt dhe më e mirë përpara në të ardhmen është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE përnjëherë, disa s’duan të hyjnë në NATO por Kosova po. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë. Në anën tjetër ka shumë qytetarë në BE që kanë shtetësi të dyfishtë. Mendoj që ka edhe shumë që kanë tri pasaporta, dhe i inkurajoj që të votojnë në të gjitha vendet ku janë qytetarë dhe kanë shtetësi. ”, tha ai.