KQZ: Rinumërimi përfundon të dielën

Rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve pritet të përfundoj të dielën.

Kështu ka bërë të ditur për Koha.net zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai ka thënë se rinumërimi ka qenë i planifikuar të përfundoj të hënën, derisa shton se gjasat janë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi.

“Po besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces dhe sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune është 130 vendvotime.

“Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën. Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime”, ka thënë ai.