Kosova nuk do të ketë krizë për miell, do të furnizohet nga Amerika

Duke parë rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të agresionit ushtarak në Ukrainë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë një përgjigje pozitive Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit nga ky vend.

Kështu ka thënë ministrja Rozeta Hajdari gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, duke shtuar se Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit nga SHBA-ja.

Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, fatmirësisht kemi marrë përgjigje pozitive nga shtetet e perëndimore dhe nga SHBA-të për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, është shprehur Hajdari.

Ajo ka shtuar se vendi duhet të përgatitet për rritjen e Rezervës Shtetërore.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka kërkuar raport të veçantë për Rezervën Shtetërore nga ministrja Hajdari dhe siç tha ai për shpenzimet e shumës prej 10 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Ministrja Hajdari ka premtuar se në një mbledhje të ardhshme do të raportojë për Rezervën Shtetërore.

Po ashtu, ajo gjatë raportimit ka thënë se gjatë vitit 2021 janë regjistruar 10 mijë e 567 biznese të reja, kurse janë shqiptuar 353 gjoba në vlerë prej 114 mijë e 152 euro.