KOSOVA DO TË DIALOGOJË ME SERBINË PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE, PA MINISTRIN E EKONOMISË

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë që përmes marrëveshjeve ekonomike të zbusin mosmarrëveshjet dekadëshe ndërmet Kosovë dhe Serbisë. Edhe takimi Avdullah Hoti-Aleksandar Vuçiq në Uashington, që do të zhvillohet me 4 shtator, ka këtë synim.

Se ekonomia do të jetë një nga temat kryesore e tha dje edhe një këshilltar i lartë i shtetit amerikan.

“Temat e bisedës do të jenë të natyrës ekonomike, duke përmendur çështjen e hekurudhave, linjës ajrore dhe autostradave midis dyja vendeve” ka thënë dje në kushte anonimiteti, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, tha ai, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.

Madje si për t’i forcuar këto mendime, ai e konfirmoi edhe një herë se tema e shkëmbimit të territoreve nuk do të diskutohet, sepse, sipas tij, këto nuk janë tema që lidhen me zhvillimin ekonomik.

“Shtetet e Bashkuara ua lënë në dorën e palëve këto diskutime. Sërish e them, për ta bërë më të qartë, unë kurrë nuk kam qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Diskutimet kanë qenë vetëm ekonomike, dhe kjo është ajo që po përqendrohemi, pra në normalizimin ekonomik”, tha ai, shkruan Gazeta Insajderi.

Që në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohet për projekte të mëdha që lidhen me ekonominë e tha edhe kryeministri Hoti.

Por, paradoksalisht, në mesin e ekipit kosovar, që ateroi dje në Uashington, mungoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, kryeminsitri s’e mori atë me vete.

Me të shkuan dy zëvendësat e tij Albulena Balaj, Driton Selmanaj, ministrat Meliza Haradinaj, Selim Selimi, Arban Abrashi, koordinatori për Dialog, Skënder Hyseni, dhe shefja e kabinetit të tij, Ardita Dushi.

Në anën tjetër, delekacioni serb ka bërë me dije se në takimin e 4 shtatorit do të marrin pjesë katër zyrtarë. Pos, presidnetit serb, Aleksandar Vuçiq, do të jenë edhe, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, ministri i Financave, Sinisa Mali dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Cadez.

Ndryshe, ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit, shkruan Gazeta Insajderi.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Palët nuk kanë arritur ndonjë përparim. Delegacioni i Kosovës ka insistuar se po negociohen pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të përmbajë njohjen e dyanshme ndërkaq pala serbe ka thënë se ky dialog është për çështje teknike.