Komuna e Malishevës ndihmon 200 familje

Në kuadër të përkrahjes për familjet në nevojë në këtë fund viti, Komuna e Malishevës, është duke shpërndarë pako në ushqime dhe higjienike për 200 familje, të cilat jetojnë në kushte më të rënda sociale dhe ekonomike. Shpërndarja e pakove bëhet përmes kryetarëve të fshatrave për familjet e evidentuara.
Në fillimin e shpërndarjes së këtyre pakove në ushqime dhe higjienë, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, për të parë nga afër mënyrën e shpërndarjes së pakove. “Ne në vazhdimësi, sidomos gjatë këtij viti, që ka qenë i veçantë për shkak të situatës me pandemi, jemi munduar që familjet në nevojë të kenë përkujdesjen e komunës dhe brenda mundësive tona, jemi duke e bërë këtë. Këto 200 familje të evidentuara, e kjo ndihmë do të vazhdoj edhe në fillimin e vitit të ardhshëm”, tha Berisha.
Përgjegjësi për shpërndarjen e këtyre ndihmave, e cila realizohet përmes Drejtorisë së Emergjencave dhe në kuadër të shtabit emergjent komunal, Halit Mazreku, ka bërë të ditur se pakot në ushqime dhe higjienë, shpërndahen përmes kryetarëve dhe kryesive të vendbanimeve në Komunën e Malishevës, ashtu sikur është vepruar gjatë kësaj kohe.
Mazreku, tha se pakot pëmbajnë, miell, ushqime dhe higjienë, ndërsa përfitues janë 200 familje të cilat janë të evidentuara në listat e familjeve që më së shumti kanë nevojë për këtë përkrahje, ndërsa me fillimin e vitit të ri, do të vazhdohet me përkrahjen tjetër, ku gjithsejtë pritet të përfitojnë rreth njëmijë familje.