KLINË/ E paditura kërkon përjashtimin e gjykatësit, palët tjera e cilësojnë si tentim për zvarritje të procedurës

Klinë – I autorizuari i të paditurës së dytë, V.D, avokati Hamdi Jashari ka kërkuar përjashtimin e gjykatësit Jashar Gashi, në kontestin ku për vërtetim pronësie po zhvillohet beteja ligjore në mes paditësit I.R dhe të paditurve J.D dhe V.D.

Avokati i të paditurës V.D pretendimet për përjashtimin e gjykatësit i arsyetoi me faktin se e paditura V.D e kishte parë gjykatësin duke u përshëndetur miqësisht me paditësin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Jashari pretendoi se jo objektiviteti i gjykatësit ishte edhe për faktin se kishte trajtuar padinë e paditësit brenda një afati rekord, ndërsa padinë e të paditurës V.D ku në një rast tjetër ishte paditëse që sipas avokatit ishte nisur 2 vite më herët, ende ka mbetur në pritje.

“Po ashtu arsyeja fondamentale për përjashtimin e gjyqtarit e konsiderojmë që caktimi i kësaj lëndë është e vitit 2021, ndërsa në një rast tjetër me po të njëjtë palë në procedurë, në këtë gjykatë ende nga viti 2019 është dorëzuar padia ku si paditëse është V.D kurse të paditur janë I.R dhe P.D dhe kjo lëndë sipas arsyetimeve të gjykatës është e re në pritje sipas radhëve të caktuara”, tha avokati Jashari.

Ky argument u kundërshtua në tërësi nga mbrojtësi i paditësit I.R, avokati Cenë Gashi dhe mbrojtësi i të paditurit të parë J.D, avokati Teki Bokshi, të cilët kërkesën e paditësit e cilësuan si tendencë për zvarritje të procedurës kontestimore.

Për më tepër, avokati Bokshi i argumentoi si të pasakta pretendimet e avokatit Jashari se padia lëndore ishte trajtuar më shpejt.

“Deklarimet e avokatit Jashari janë të pasakta. Kjo padi nuk është e vitit 2021 por është dorëzuar në këtë gjykatë me 20 shtator 2018 ndërsa numrin e ri 2021 e ka marrë pasiqë procedura ka qenë e ndërprerë për shaktë vdekjes së paditurit të parë P. D.”, tha avokati Bokshi.

Avokati Bokshi shtoi se paditësja nuk ishte diskriminuar por privilegjuar pasi rasti i saj në të cilën ishte paditëse ishte trajtuar në mënyrë të shpejt dhe jashtë rendit të veprimit.

Në anën tjetër, edhe gjykatësi Jashar Gashi e njoftoi avokatin Jashari se lënda e paditësit ishte e vitit 2018 mirëpo kishte marrë numrin e lëndës të vitit 2021 pasi ishte ndërprerë procedura.

Gjykatësi shtoi se nuk ishte saktë se gjykata kishte trajtuar paditë në mënyrë diskriminuese.

Gjykatësi tha se për kërkesën për përjashtim do të vendos kryetari i Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, sipas padisë të ngritur më 20 shtator 2018, paditësi pretendon se në vitin 2002, nga i padituri i parë i ndjeri P.D, ka blerë patundshmërinë në sipërfaqe prej 0.07h në Zonën Kadastrale Dresnik, e cila sipas padisë evidentohet në emër të V.D. Paditësi pretendon se i ka përmbushur të gjitha premtimet dhe ka marrë pronën lëndore në posedim pronësor dhe posedim të lirë. Ai pretendon se shitësi i kishte garantuar se prona lëndore ishte blerë nga ish pronarja para shumë vitesh.

Kurse sipas përgjigjes në padi të paditurës së dytë V.D, e kundërshton në tërësi padinë me pretendim se ajo nuk kishte shitur pronën kontestuese të paditurit të parë. Ajo pretendon se paditësi është nisur nga fakti se sipërfaqja lëndore është minore dhe pasi e njëjta jeton në botën e jashtme dhe nuk ka shpreh interesim që pronën lëndore ta shfrytëzonte ekonomikisht.

E njëjta ka kërkuar që padia e paditësit të refuzohet si e pabazuar./BetimipërDrejtësi