Kërkohet që të ulen kamatat nga bankat komerciale në Kosovë

Problemet e bizneseve me bankat komerciale, e me theks të veçantë gjatë periudhës së pandemisë ishin tema kryesore e diskutimit në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me drejtorin e Shoqatës së Bankave Petrit Balija dhe bashkëpunëtorët.

Kryetari i bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi theksoi që gjatë periudhës së pandemisë një ndër sfidat kryesore për bizneset ka qenë pamundësia e marrjes së kredive, pasi që bankat komerciale për shkak të pandemisë kanë ndaluar ofrimin e këtij shërbimi dhe njëkohësisht shtyrja e pagesave të kamatave të kredive nuk ka nënkuptuar edhe shtyrjen e interesit.

Kjo mos shtyrje e interesit ka bërë që të rëndohet biznesi, prandaj Krasniqi theksoi që është mëse e nevojshme që shtyrja e kredive të bëhet edhe për tre muajt në vijim, ndërsa pjesa e interesit të merret përsipër nga shteti duke u subvencionuar.

Tutje Krasniqi shtoi që duhet të bëhet shtyrja e kredit line për një vit, e jo për tre muaj, të ulet norma e interesit në banka komerciale ashtu që të rritet mundësia për marrje të kredive, të rritet koha e grejsperiudhës deri në dy vite, dhe njëkohësisht Kosova nëpërmjet BQK-së të aplikojë për lirim të tarifave për Master dhe Visa Card pasi që të gjitha këto do të lehtësonin funksionimin e bizneseve në vend.

Nënkryetari i bordit, Arsim Selmonmusaj shtoi që duhen të ndërmerren masat e nevojshme ashtu që të unifikohet provizioni në bankat komerciale për këmbim të parave metalike në kartëmonedha.

Ndërsa sekretari i bordit, Diamant Elshani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të afërt në mënyrë që bashkërisht të shtyjmë përpara proceset në interes të përbashkët.

Balija konsideroi se Qeveria duhet të ketë prioritet krijimin e Pakos së Rimëkëmbjes dhe për të cilën duhet të diskutohet me të gjitha palët relevante, në mënyrë që të përfshihen interesat e bizneseve.

Sipas Balijës, shtyrja e kredive është bërë bazuar në vullnetin e bankave komerciale dhe se në bashkëpunim me BQK-në kanë pezulluar përkohësisht vendimin përmes së cilit aplikohet kamata ndëshkuese. Ai shtoi që deri më tani janë bërë mbi 65.000 aplikime për shtyrje të kredive, e që në bazë të numrit të aplikantëve jemi shteti me përqindjen më të lartë në BE që kanë bërë një kërkesë të tillë, e gjitha kjo vjen si rezultat i gjendjes ekonomike që Kosova në tërësi ka.

Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Shoqata e Bankave u dakorduan që së bashku të shtyjnë para këto kërkesa të përbashkëta:

Rritja e kapitalit për garanci kreditore, në minimum prej një fondi 300 milion euro;Subvencionimi i normave të interesit nga ana e shtetit;Të bëhet kërkesa për Visa dhe Master Card nga BQK në mënyrë që të ulen tarifat, meqenëse i kemi më të lartat në rajon.Të investohet në Kleringun e ri në BQK, në mënyrë që pagesat të realizohen më shpejtë dhe të eleminohen mundësitë e mashtrimeve.Të sigurohet kapital shtesë për ruajtje të likuiditetit.Të miratohet sa më shpejtë Pako fiskale substanciale në mënyrë që të përkrahen bizneset për ruajtje të stabilitetit dhe rimëkëmbje.Bankat të kenë mundësi që të i’u lejohen në BQK si kolateral letrat me vlerë të cilat i kanë emetuar.